Java e tretë e Superligës në pingpong: Drita e Prishtina udhëheqin te femrat, Pripingu e Lidhja e Prizrenit të pandalshme te meshkujt
Të shtunën, më 19 prill, janë zhvilluar ndeshjet e javës së tretë të Superligës së Kosovës në pingpong, ku rezultatet kanë përforcuar dominimin e ekipeve pretendente në të dyja kategoritë, femra dhe meshkuj.
Në Superligën e femrave, Drita ka arkëtuar tri pikë pa u lodhur në fushë duke fituar me rezultat zyrtar 4:0 ndaj Junikut. Prishtina gjithashtu ka shënuar fitore bindëse 4:0 kundër Gjilanit, ndërsa Ahmet Hoxha ka triumfuar me 4:1 ndaj Shpresës.
Pas tri javësh garë, Drita dhe Prishtina kryesojnë tabelën me nga tri fitore dhe pikë të plota, ndërsa pas tyre vijnë Ahmet Hoxha me 5 pikë, Gjilani me 4, Shpresa me 3 dhe Juniku në fund me vetëm 2 pikë.

Në Superligën e meshkujve, ndeshjet ishin më të luftuara. Lidhja e Prizrenit arriti fitore të vështirë ndaj Shkolla Prizrenit me rezultat 4:2, njëjtë si Dardania ndaj Vushtrrisë (4:2). Liria e Prizrenit shënoi fitore 4:1 ndaj Prishtinës, ndërsa Pripingu dominoi Hasan Prishtinën me rezultat të pastër 4:0.
Pas tri javëve të para, katër ekipe mbajnë kryesimin me pikë të plota – Pripingu, Lidhja e Prizrenit, Liria dhe Dardania – duke paralajmëruar një garë të fortë për kreun e tabelës në vazhdim të kampionatit. /Kosova.info/

