Jashari: Dikur e patëm ideal çlirimin e vendit, tani e kemi ideal ta zhvillojmë vendin

Bekim Jashari e ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për kryetar të Skenderajt.

Në fjalimin e tij para familjarëve, bashkëpunëtorëve dhe përkrahësve tha se tek varrezat e Prekazit u betua se do të punojë për mirëqenien e qytetarëve.

“Fillimisht bekimin e mora nga gjyshi Shaban, babushi Hamza, Ademi, tek varret në Prekaz, nga aty u betova që do të punojë për mirëqenie dhe të jem në shërbimin tuaj, që vendin ta zhvillojmë e ta bëjmë shembull për të tjerët”.

Jashari tha se pjesëmarrja masive e qytetarëve në ceremoninë e zyrtarizimin e tij si kandidat për të parin e Skenderajt, është mesazh i qartë se rruga është e përbashkët për zhvillimin e komunës.

“Pjesëmarrja juaj masive më jep emocion dhe është mesazh i qartë që rruga jonë është e përbashkët për zhvillimin e komunës”.

Ai theksoi se dikur ishte ideal çlirimi i vendit kurse tani ideal është zhvillimi i vendit.

“Përderisa dikur patëm ideal çlirimin e vendit, tani kemi ideal të punojmë dhe ta zhvillojmë vendin dhe qytetin”.

Kryetari aktual i Skenderajt Bekim Jashari, edhe zyrtarisht do të garojë edhe për mandatin e dytë në krye të kësaj komune.

Motoja e fushatës së Jasharit është “Ideal për Skenderajn”.

Go to TOP