Italia çerekfinalistja e dytë

Italia vuan dhe me vështirësi arrin të kualifikohet në çerekfinalen e Kampionatit Europian. Ndryshe nga sfidat e tjera, për Italinë kësaj radhe ishte një vuajtje dhe avancimi erdhi pas fitores 2-1 vetëm në shtesën 30 minutëshe pas lojës së rregullt e cila u mbyll pa gola por me emocione.

Në “Wembley”, Italia vinte si e para e grupit A dhe pas tre paraqitjeve shumë të mira të fituara në mênyrë bindëse. Po bindëse ishte edhe loja e të kaltërve që nisin të dominojmë ndeshjen dhe mbajnë topin duke krijuar disa raste të rrezikshme.

Edhe pse austriakët të gjithë qëndronin prapa, skuadra e Mancinit tronditi shtyllën me Immobile e gjithashtu me Barellan e Spinazzolan goditën portën por pa arritur te goli.

Pjesa e dytë nisi më ndryshe për të dyja skuadrat ku Italia tentoi golin ndërsa Austria u zhvendos më përpara dhe rrezikoi disa herë.

Ndërsa Italia po vuante të gjente kuadratin, austriakët trondisin Italinë kur shënojnë një gol me Arnautoviç në 65′ i cili anulohet me të drejtë nga VAR për pozicion të parregullt.

Italia bën disa zëvendësime që gjithsesi nuk sjellin ndryshim në rezultat me sfidën që shkon në shtesa, e para e këtij Europiani. Chiesa, Belotti, Locatelli dhe Pessina u futën nga Mancini në lojë dhe kjo dha rezultat.
Sapo nisi shtesa e parë, në 95′ pas një asisti nga Spinazola, Chiesa shmang një kundërshtar dhe me të majtën tund rrjetën duke çliruar Italinë.

Goli i të kaltërve hap ndeshjen dhe skuadrat kane më shumë raste teksa Italia përfiton sërish me një nga lojtarët e futur në lojë dhe Pessina në një rrëmujë në zonë shënon golin e dytë dhe të nokautit në 105′.
Nuk mbarojnë këtu emocionet pasi në 114′, Austria shkurton diferencën me një gol me kokë nga Schop që vetëm sa hap panik pasi sfida nuk ndryshon më.

Përfundimisht një fitore shumë e vuajtur por plot me emocione dhe tani Italia do të presë në çerekfinale fituesin e çiftit Belgjikë-Portugali.

Go to TOP