Ishte ndër më të mirët në fushë, Kryeziu: Humbëm pa na rrezikuar grekët fare

Përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar humbjen e parë në kampanjën kualifikuese të Ligës së Kombeve.

Dardanët pësuan humbje minimale 0-1 nga Greqia në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ falë një goli nga Anastasios Bakasetas në pjesën e parë.

Ishte një atmosferë tejet e mirë në kryeqytetin kosovar, por që humbja ishte e paevitueshme për faktin se Dardanët nuk luajtën ashtu siç jemi mësuar t’i shohim.

Qendërmbrojtësi i Kosovës, Mirlind Kryeziu ka thënë se u mposhtën nga Greqia pa krijuar grekët asgjë në këtë sfidë.

“E nisëm shumë mirë ndeshjen, duke mbajtur topin dhe krijuar edhe raste. Greqia nuk na rrezikoi asnjëherë në pjesën e parë, por pësuam një gol të papritur. Më pas gjithçka u bë më e vështirë për ne, sidomos kur mbetëm me 10 futbollistë”, tha Kryeziu.

Tutje kampioni i Zvicrës me Zurichun foli edhe për mungesat e mëdha në ndeshjet e ardhshme si e Arijanet Muric e Fidan Alitit që u ndëshkuan me kartonë të kuq.

“Ne jemi 24 futbollistë të grumbulluar dhe të gjithë e dimë që mund të zëvendësojmë njëri-tjetrin. Jemi të gjithë të mirë dhe zëvendësimet do të bëjnë shumë mirë”, tha Kryeziu.

Ndeshjen e ardhshme Dardanët e zhvillojnë të enjten përsëri në Fadil Vokrri, ku kësaj radhe presin Irlandën Veriore. 

Go to TOP