Ish-këshilltari i presidentit Trump, Steve Bannon, nis sot vuajtjen e dënimit me burg

Steve Bannon, një prej aleatëve kryesorë të ish-presidentit Donald Trump, do të paraqitet në burg të hënën për të vuajtur një dënim me katër muaj, nën akuza për shkelje të një urdhri për të dëshmuar përpara komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve, që hetoi sulmin ndaj Kapitolit.

Sipas një personi në dijeni të çështjes zoti Bannon pritet të vuajë dënimin në një burg federal të sigurisë së ulët që ndodhet në Danbury të shtetit të Konektikatit. Ai pritet të qëndrojë në burg pothuajse deri ditën e zgjedhjeve.

Të premten Gjykata e Lartë hodhi poshtë një kërkesë të zotit Bannon që ta shtyjë fillimin e dënimit të tij me burg, deri në përfundim të procesit të apelimit.

Në vitin 2022 zoti Bannon u dënua me katër muaj burg për dy akuza për mosbindje ndaj Kongresit. Ai u akuzua se refuzoi t’i dorëzonte dokumente ose të dëshmonte përpara komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve të udhëhequr nga demokratët, që po hetonte trazirat në Kapitol të shkaktuara nga mbështetësit e ish-presidentit Trump. Këta të fundit u përpoqën të parandalojnë çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020, që shpallte fitues zotin Biden.

Zoti Bannon ishte një prej këshilltarëve kyç të fushatës presidenciale të zotit Trump në vitin 2016. Më pas ai shërbeu si një prej këshilltarëve kryesorë të tij në Shtëpinë e Bardhë gjatë vitit 2017, por u largua pas një mosmarrëveshjeje mes tyre, marrëdhënie që u përmirësuan më vonë.

Steve Bannon nuk është ish-zyrtari i parë i lartë i administratës Trump që shkon në burg për refuzim të bashkëpunimit me komisionin e Dhomës së Pëfaqësuesve.

Peter Navarro, një ish-këshilltar për çështje të tregtisë i ish-presidentit, u fut në burg në muajin mars, i dënuar me katër muaj heqje lirie. Gjykata e Lartë refuzoi gjithashtu kërkesën e zotit Navarro që ta shtynte fillimin e dënimit të tij deri në përfundim të procesit të apelimit.

Në vitin 2021 zoti Trump e fali zotin Bannon i cili në atë kohë ishte në një proces gjyqësor nën akuza federale, se përmes një skeme mashtrimi kishte grumbulluar fonde nga mbështetësit e ish-presidentit, duke premtuar se ato do të përdoreshin për të ndërtuar murin në kufi me Meksikën.

Zoti Bannon i ka hedhur poshtë akuzat. Ndërkohë ai është në pritje të gjykimit për të njëjtën çështje, nën akuza të ngritura në nivel shtetëror.

Go to TOP