Ish-ambasadori amerikan në Kosovë kërkon që koktejit të mollotovit t’i vihet emri “limonada Lavrovi”

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, me një gjuhë ironike ka propozuar që kokteji i mollotovit t’i vihet emërtimi “limonadat e Lavrovit”.

Kosnett këtë propozim e ka bërë përmes postimeve në llogarinë zyrtare të tij në ‘Twitter’, duke përmendur paraprakisht historinë e emërtimit të mjetit shpërthyes gjatë kohës së nazizmit.

“Momente të mëdha në diplomacinë ruse. 1940: Ministri i Jashtëm Molotov, i ri nga bashkëpunimi me Gjermaninë naziste për të copëtuar Poloninë, pretendonte se avionët sovjetikë që bombardojnë Finlandën po lëshojnë “furnizime humanitare”. Finlandezët i emërtojnë bombat e tyre të benzinës të bëra vetë si “kokteje molotovi”. 1/2”, ka shkruar ai.

Ish-diplomati amerikan me shërbim në Kosovë më tej ka thënë se agresionin rus ndaj Ukrainës në të njëjtën formë po e arsyeton edhe ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov. Për këtë, ai ka propozuar me ironi që mjetit shpërthyes t’i lihet emri “limonadë Lavrovi”, teksa ka pritur edhe propozime të tjera.

“2022: Ministri i Jashtëm Lavrov luan një rol të rëndësishëm në justifikimin e pushtimit të Ukrainës. E meriton të lë gjurmë. A mund t’i quajmë këto armë [koktej molotivi] “limonade Lavrov?” (Sugjerimet më të mira janë të mirëpritura.). 2/2”, ka shkruar më tej Kosnett.

Ish-përfaqësuesi i diplomacisë amerikane në Kosovë ka qenë i zhurmshëm karshi çështjes së njohjes së Kosovës nga pesë shtetet mos-njohëse, në vazhdën e qasjes destruktive të Rusisë.

Go to TOP