IPK zgjeron hetimet: Rekomandon suspendimin e edhe 7 policëve për rastin e keqtrajtimit në Podujevë

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), përmes Departamentit të Hetimeve, ka rekomanduar suspendimin e edhe shtatë zyrtarëve policorë në lidhje me rastin e dyshuar të keqtrajtimit të dy qytetarëve, njëri prej tyre i mitur, brenda Stacionit Policor të Podujevës.

Nga zyrtarët e rekomanduar për suspendim, gjashtë ishin të angazhuar në Stacionin Policor të Podujevës, ndërsa një zyrtar tjetër i përket Drejtorisë Rajonale të Prishtinës.

Hetimet fillestare të IPK-së kishin nisur pas dyshimeve se disa policë kanë ushtruar forcë të tepruar ndaj personave në ndalim gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, hetuesit kanë zgjeruar veprimet hetimore duke identifikuar edhe shtatë zyrtarë të tjerë të involvuar në këtë rast.

Sipas IPK-së, ndaj gjashtë prej zyrtarëve hetimet po zhvillohen në procedurë të rregullt për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, ndërsa ndaj një togeri policor po hetohet dyshimi për veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.

Me këtë zhvillim, numri i përgjithshëm i zyrtarëve policorë të dyshuar në rast arrin në 11.

IPK ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë dhe se Policisë së Kosovës i është rekomanduar ndërmarrja e masave të nevojshme disiplinore.

Për detaje të mëtejshme, IPK ka ftuar palët të referohen edhe komunikatës së datës 10 nëntor 2025, e cila lidhet me fazat paraprake të këtij rasti. /Kosova.info/

Go to TOP