IPK dhe Policia pjesëmarrëse në konferencën vjetore të NIAIA
Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Kushtrim Hodaj, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, si dhe zyrtarë të lartë të dy institucioneve po marrin pjesë në Konferencën Vjetore të Shoqatës Kombëtare të Hetimeve të Brendshme (NIAIA), e cila po mbahet në Louisville, Kentucky të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Delegacioni i Kosovës u mirëprit nga kryetari i bordit të NIAIA, kapiten Chris Ray, anëtarët e bordit dhe përfaqësues të tjerë të delegacioneve nga agjencitë mbikëqyrëse policore në SHBA.
Gjatë punimeve të konferencës po trajtohen tema të rëndësishme si fuqizimi i integritetit të zyrtarëve policorë, aspektet profesionale të përdorimit të forcës, ndikimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në aktivitetet zyrtare, si dhe risitë dhe përmirësimet ligjore në hetimet administrative nga strukturat e hetimeve të brendshme.
Shoqata NIAIA është një organizatë prestigjioze që bashkon mekanizmat mbikëqyrës të agjencive policore në SHBA. Këtë vit, mbi 400 zyrtarë amerikanë të zbatimit të ligjit dhe përfaqësues ndërkombëtarë po marrin pjesë në konferencë.
Kosova, që nga viti 2021, është anëtare e barabartë e NIAIA – si shteti i parë evropian që i është bashkuar kësaj organizate krahas agjencive të zbatimit të ligjit në SHBA duke dëshmuar përkushtimin për transparencë, profesionalizëm dhe standarde të larta në fushën e sigurisë. /Kosova.info/
