Inter fiton me vështirësi ndaj Sassuolo

Inter ka arritur një fitore të mundimshme 2-1 kundër Sassuolo, duke shmangur humbjen e tretë radhazi në Serie A, diçka që s’i kishte ndodhur që nga prilli i vitit 2023.

Trajneri Cristian Chivu ka qenë nën presion pas dy humbjeve të fundit, ndërsa ndeshja ndaj Sassuolo nuk është dukur aspak e lehtë, pasi ky rival e kishte mposhtur Inter dy herë në kampionat para dy sezonesh.

Megjithatë, Inter ka avancuar që në minutën e katërmbëdhjetë kur Federico Dimarco ka shënuar pas një aksioni të ndërtuar nga Nicolo Barella dhe Petar Sucic.

“Zikaltrit” e kanë kontrolluar lojën në pjesën e parë dhe kanë pasur raste me Calhanoglu e Thuram, por edhe mysafirët janë treguar të rrezikshëm me Berard dhe Lauriente.

Në pjesën e dytë, Inter ka vazhduar të krijojë raste, por Sassuolo ka qenë gjithmonë kërcënuese në kundërsulm, me Pinamonti që e ka detyruar portierin Martínez ta bëjë një pritje spektakolare.

Në minutën e tetëdhjetë e një, Inter ka menduar se e ka mbyllur ndeshjen kur goditja e Carlos Augustos është devijuar dhe ka përfunduar në rrjetë, por vetëm pak më vonë Walid Cheddira i ka ngushtuar shifrat për Sassuolo. Gol i Frattesi është anuluar për pozicion jashtë loje, ndërsa Inter ia ka dalë ta ruajë fitoren deri në fund.

Pas kvsaj ndeshje, në tabelën e kryesuar nga Juventus me dhjetë pikë, Inter gjendet vetëm në vendin e dhjetë me gjashtë pikë, ndërsa Sassuolo në vendin e katërmbëdhjetë me tri pikë. 


Go to TOP