Inter e mposht Urawa me dy gola të vonshëm

Interi e ka marrë një fitore të vështirë, por shumë të rëndësishme ndaj Urawa Red Diamonds, duke e mposhtur skuadrën japoneze me rezultat 2-1 në ndeshjen e Grupit E në Botërorin e Klubeve. 

Pas barazimit ndaj Monterrey në ndeshjen e parë, Inter ka qenë nën presion për të marrë tri pikët. Megjithëse e ka dominuar fillimin e takimit me pothuajse 90% të posedimit, ka qenë Urawa që ka befasuar e para. Takurō Kaneko ka depërtuar nga krahu dhe ka asistuar për Ryoma Watanabe, i cili ka realizuar golin për epërsinë 1-0 të ekipit japonez.

Pjesa e parë ka përfunduar me Inter në kërkim të golit, por pa sukses. Lautaro Martínez e ka goditur traversën, ndërsa tentativa të tjera nga Asllani, Zalewski dhe Barella nuk kanë arritur ta çanin mbrojtjen japoneze.

Në pjesën e dytë, Inter ka vazhduar të sulmojë ndaj një mbrojtje të fortë të Urawa. Edhe pse ka pasur disa raste të mira, sërish nuk ka arritur të shënojë deri në minutën e 78-të, kur Lautaro Martínez e ka barazuar rezultatin me një goditje të bukur me gërshërë pas një krosimi nga këndi nga Barella.

Kur mendohej se ndeshja do të përfundonte në barazim, në minutat shtesë është shfaqur Valentín Carboni, i cili e e ka devijuar topin në këndin e poshtëm të portës, duke i dhënë Inter fitoren e shumëpritur.

Me këtë fitore, Inter ngjitet në kuotën e katër pikëve, ndërsa Urawa Red Diamonds eliminohet nga turneu. Klubet aziatike kështu mbesin pa fitore në këtë edicion të Botërorit të Klubeve. Ndeshjen e fundit në grup, Inter do ta zhvillojë ndaj River Plate.


Go to TOP