IKSHPK me rekomandime se si të parandalohen zjarret
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka dhënë rekomandime se si të parandalohen zjarret. Sipas tij, 90 për qind e zjarreve shkaktohen nga njeriu.
“Shkaqet më të zakonshme janë djegia e barishteve dhe mbeturinave, hedhja e cigareve të ndezura, përdorimi i flakëve të pakontrolluara, hedhja e pakontrolluar e mbeturinave lehtë të ndezshme dhe zjarret e qëllimshme apo të shkaktuara nga pakujdesia njerëzore”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Tutje, ky institut thotë se zjarret përbëjnë rrezik për shëndetin e njeriut.
IKSHPK-ja thotë se zjarret rrisin ndotjen e ajrit (PM2.5), rrezikojnë mushkëritë dhe zemrën, veçanërisht tek fëmijët dhe të moshuarit, shkaktojnë helmim nga tymi dhe monoksidi i karbonit.
Po ashtu IKSHPK thotë se zjarret dëmtojnë rëndë edhe mjedisin, si dëmtimin e pyjeve, tokave bujqësore dhe faunës, shkatërrimin e biodiversitetit, nxitje e ndryshimeve klimatike.
“Zjarret rrezikojnë edhe komunitetin, si dëmtime të shtëpive dhe infrastrukturës, humbje ekonomike për familjet dhe fermerët”.
Si të parandalohen zjarret sipas IKSHPK-së?
Mos ndizni barishte apo mbeturina në ambiente të hapura;
Shmangni përdorimin e flakëve në ditët me temperatura të larta;
Mos hidhni cigare të ndezura në tokë;
Ruani materialet e djegshme në një ambient të sigurt dhe larg vendeve të frekuentuara nga njerëzit.;
Nëse ndizni zjarr, mos u largoni pa u siguruar që është shuar plotësisht;
Njoftoni menjëherë në 112 për çdo shpërthim zjarri të pakontrolluar. /Kosova.info/
