IKD akuzon Zyrën e KQZ-së për vendim arbitrar dhe të paligjshëm: Refuzimi i akreditimit cenon transparencën e zgjedhjeve
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka bërë të ditur sot se ka pranuar një njoftim nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, përmes të cilit është refuzuar aplikimi i tyre për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
IKD vlerëson se vendimi është i pajustifikuar, jo transparent dhe në kundërshtim me ligjin për procedurën administrative duke theksuar se çdo vendim administrativ duhet të jetë i arsyetuar dhe të garantojë të drejtën për kundërshtim juridik. Sipas tyre, dokumenti i pranuar nuk përmban arsyetim të qartë, as bazë ligjore, dhe nuk ofron këshillë juridike mbi mënyrën e ankimimit duke cenuar parimin e ligjshmërisë dhe të drejtën për mbrojtje juridike.
Sipas IKD-së, interpretimi se organizata “nuk i plotëson kriteret” për akreditim është selektiv, i pabazuar dhe në kundërshtim me frymën e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ata theksojnë se mandati i institucionit lidhet drejtpërdrejt me sundimin e ligjit, integritetin institucional, monitorimin e institucioneve publike, edukimin juridik dhe ndihmën falas, që përbëjnë komponentë të pandarë të të drejtave të njeriut dhe të proceseve demokratike.
IKD vlerëson se pretendimi se organizata nuk ka të bëjë me të drejtat e njeriut është “i papranueshëm dhe joracional” duke kujtuar se të drejtat e njeriut përfshijnë një gamë të gjerë komponentësh që nuk kufizohen në terminologji të ngushtë.
Në reagim thuhet se vendimi bie ndesh edhe me standardet ndërkombëtare të OSBE/ODIHR dhe Këshillit të Evropës, të cilat njohin rolin e rëndësishëm të organizatave të shoqërisë civile në monitorimin e zgjedhjeve, bazuar në misionin e tyre për transparencë dhe llogaridhënie — jo vetëm në ndonjë formulim të caktuar në statut.
IKD e cilëson si të paprecedentë praktikën e kërkimit të kritereve formale duke nënvizuar se një qasje e tillë nuk është aplikuar nga KQZ ndër vite dhe mund të krijojë dyshime serioze për politizim dhe ndërhyrje në procesin zgjedhor. Sipas tyre, kufizimi i rolit të organizatave të shoqërisë civile përbën cenim të demokracisë dhe integritetit të zgjedhjeve.
Në njoftim, IKD thekson se Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar nuk ka kompetencë për të refuzuar aplikimin e një OJQ-je, pasi sipas Rregullores Zgjedhore Nr. 08/2024, vendimin për miratim ose refuzim e merr vetëm KQZ, ndërsa Zyra ka vetëm rol rekomandues.
Instituti i Kosovës për Drejtësi njofton se do t’i shfrytëzojë të gjitha mekanizmat administrativë dhe ligjorë për ta kundërshtuar këtë vendim, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të veta dhe të çdo organizate të shoqërisë civile që kontribuon në mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore në Kosovë.
Në fund, IKD i bën thirrje KQZ-së të rishqyrtojë praktikat e saj të brendshme dhe të rrisë profesionalizmin, në mënyrë që të shmangen vendimet që bien ndesh me ligjin dhe standardet demokratike. /Kosova.info/
