Incidenti në “Fadil Vokrri”, Prishtina dënohet me 1200 euro, Ballkani me 1000 euro

Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se komisioni disiplinor i shkallës së parë ka marrë vendime në lidhje me incidentin që ka ndodhur në ndeshjen mes Prishtinës dhe Ballkanit.

Në njoftim thuhet se klubi i Prishtinës, për shkak të lëshimit në organizimin e ndeshjes, është dënuar me një gjobë 1200 euro, dhe me dy ndeshje zyrtare të radhës jashtë fushës së vet.

Pa dënime s’ka shpëtuar as skuadra e Ballkanit, që është dënuar me 1000 euro, për shkak të dëmeve që kanë shkaktuar tifozët në tribunën veriore.

“FC ‘Ballkani’. Tifo grupi ‘Xhebrailat’, të vendosur në tribunën veriore, kanë demoluar tri (3) ulëse, ndërkaq në tualetin e kësaj tribune kanë dëmtuar katër (4) mbajtëse të letrave, një mbajtëse të dyerve të hekurit dhe është dëmtuar xhami (dritarja). Sipas raporteve të zyrtarëve të ndeshjes Prishtina-Ballkani dhe përfaqësuesve zyrtarë të ekipeve, bazuar në nenin 52, paragrafi 1, pika C, dhe neni 10, paragrafi 2, pika A, të Rregullores disiplinore, dënohet me gjobë në shumën prej 1000 euro. Afati i pagesës është tetë (8) ditë kur vendimi bëhet i plotfuqishëm. (Rregullorja disiplinore, neni 11, paragrafi 1). Po ashtu, obligohet FC ‘Ballkani’, që dëmin e shkaktuar nga tifo grupi ‘Xhebrailat’, në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, ta paguajë në afat prej 15 ditëve kur vendimi bëhet i plotfuqishëm. Shuma e dëmit të shkaktuar përcaktohet me vendim të organit kompetent”.

“FC ‘Prishtina’. Lëshim në organizimin e ndeshjes. 15 minuta para fillimit të ndeshjes, tifozët vendas, ”Plisat”, kalojnë rrethojat e tribunës jugore dhe, përmes shtegut të atletikës, pa i penguar askush, vërsulen në anën veriore, në tribuna ku ishin tifozët mysafirë “Xhebrailat”, i sulmojnë fizikisht dhe si rezultat i kësaj përleshjeje tre (3) simpatizues të ekipit mysafir marrin lëndime trupore, njeri nga të cilët dyshohet të jetë lënduar nga mjeti i mprehtë (thikë). Tifo grupi ‘Plisat’, në minutën e 8, ofendon në kor ekipin dhe tifozët mysafirë, ndërkaq në minutat 13, 14 dhe 33, ata kanë ndezur mjete piroteknike tymuese dhe shurdhuese të fuqishme, me ç’rast kanë dëmtuar barin sintetik. Në minutën e 15, një tifoz ka kaluar rrethojën dhe nga ana lindore, përmes fushës së lojës, ka kaluar në tribunën perëndimore të stadiumit, sipas raporteve të zyrtarëve të ndeshjes Prishtina-Ballkani dhe xhirimeve televizive.
I. Bazuar në nenin 53, paragrafi 1, pika D, të Rregullores disiplinore FC ‘Prishtina’, dënohet me dy ndeshje zyrtare të radhës jashtë fushës së vet. (Jashtë qytetit të Prishtinës).
II. FC “Prishtina”: Bazuar në nenin 52, paragrafi 1, pika C dhe nenin 10, paragrafi 2, pika A, të Rregullores disiplinore, dënohet me gjobë në shumën prej 1200 euro. Afati i pagesës është tetë (8) ditë kur vendimi bëhet i plotfuqishëm. (Rregullorja disiplinore, neni 11, paragrafi 1).
III. Obligohet FC “Prishtina”, që dëmin e shkaktuar nga tifo grupi ‘Plisat’, në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ ta paguajë në afat prej 15 ditëve kur vendimi bëhet i plotfuqishëm. Shuma e dëmit të shkaktuar përcaktohet me vendim të organit kompetent”.

Go to TOP