I nominuari për ambasador të ShBA-ve: Siç e ka thënë Biden, dialogu “duhet të ketë në qendër njohjen reciproke”

Jeffry M. Hovenier ka paraqitur sot në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan dëshminë e tij për nominimin e si ambasador i SHBA-ve në Prishtinë nga Presidenti Joe Biden.

Ai në deklarimin e tij para këtij Komiteti ka thënë se nëse konfirmohet si ambasador i SHBA-së në Prishtinë një prej prioriteteve kryesore do ta ketë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Hovenier në paraqitjen e tij e ka cituar edhe një deklaratë të presidentit Amerikan, Joe Biden i cili kohë më parë ka deklaruar se dialogu ndërmjet dy shtete duhet ta kenë në qendër njohjen reciproke.

Ai ka përmendur mbështetjen për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili siç ka thënë Hovenier – duke cituar presidentin Biden – duhet të ketë në qendër “njohjen reciproke”.

“Normalizimi i marrëdhënieve është thelbësor për stabilitetin rajonal dhe do të hapë rrugën për dy shtetet drejt integrimeve në institucionet euro-atlantike. Nëse më konfirmohet nominimi, unë do ta inkurajoj Kosovën që të angazhohet me konstruktivitet, fleksibilitet dhe urgjencë”, ka deklaruar ai para senatorëve amerikanë.

“Mbështetja e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë i cili dhe po e citoj presidentin Biden ‘duhet të ketë në qendër njohjen reciproke’. Normalizimi është thelbësor për stabilitetin rajonal dhe do të hap rrugën për të dy shtetet drejt integrimeve në institucionet euroatalantike”, ka thënë Hovenier.

Si prioritete të tij ai ka renditur edhe forcimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndihëm për rimëkëmbjen nga pandemia e Covid-19, mbështetjen e organeve të drejtësisë për sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit si dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Vlen të theksohet se Hovenier ka shërbyer edhe më parë në Kosovë.

Ish-ambasadori amerikan Philip Kosnett e ka përfunduar mandatin e tij në muajin shtator.

Go to TOP