Synimi i Kosovës për anëtarësim, Gërvalla takon ambasadorin irlandez në Këshill të Europës

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, është takuar me ambasadorin e Irlandës në Këshillin e Europës, Breifne O’Reilly.

Për këtë takim, ku u fol mbi angazhimet e Kosovës drejt synimit të saj për anëtarësim në Këshill të Europës, ka njoftuar faqja zyrtare e Irlandës për KiE.

“Këtë mëngjes Ambasadori O’Reilly është takuar me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz për të diskutuar angazhimet e saj me Këshillin e Europës”.

Pas përjashtimit të Rusisë nga organizata europiane e të drejtave të njeriut për shkak të agresionit të filluar kundër Ukrainës, Kosova po synon ta shfrytëzojë këtë situatë për t’u bërë anëtare e Këshillit të Europës. Prandaj, më 12 maj të këtij viti, Gërvalla ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin për anëtarësim të Kosovës, derisa është zotuar se do të angazhohet që të marrë mbështetjen e vendeve anëtare të Këshillit.

Më herët, ajo pati thënë se ka zhvillime që na “bëjnë optimistë për anëtarësim në Këshillin e Europës”.

Go to TOP