Hoxhaj godet lidershipin e PDK-së: S’ka kushte të barabarta, nuk marr pjesë në garë

Enver Hoxhaj ka mbajtur një fjalim të ashpër para delegatëve të Konventës së Partisë Demokratike të Kosovës, ku njoftoi se nuk do të kandidojë për kryetar të partisë duke akuzuar lidershipin aktual për mungesë të procesit demokratik dhe kushteve të barabarta.

Ai tha se i ishte mohuar kërkesa për vetëm një javë shtyrje të garës, që sipas tij do t’i hapte rrugë një procesi më cilësor dhe me më shumë kandidatë. Hoxhaj theksoi se edhe Bedri Hamza, kandidati i vetëm në garë, të cilin e kishte takuar një ditë më parë, nuk kishte shprehur mirëkuptim për kërkesën e tij.

Në fjalimin e tij, Hoxhaj dha disa goditje të drejtpërdrejta ndaj udhëheqjes aktuale të PDK-së duke përmendur figurat historike të partisë, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, të cilët ndodhen në Hagë. Ai tha se po të ishin ata në Kosovë, “nuk do të kishim krizë lidershipi”.

“Konventa ka qenë historike kur janë zgjedhur HTH dhe KV. Kisha pas qef që ata të kthehen, dhe kështu të zgjidhej edhe problemi i lidershipit. Meqë ata nuk janë, kjo konventë ka mundur të jetë më demokratike. Mjaftonte një javë shtyrje”, u shpreh ai.

Hoxhaj kritikoi mënyrën si janë shpallur zgjedhjet brenda pesë ditësh dhe faktin që kryetari Memli Krasniqi menjëherë kishte shprehur publikisht preferencën e tij për Bedri Hamzën duke e bërë garën “të mbyllur dhe jo demokratike”.

Ai tha se kërkesa e tij nuk ishte personale, por parimore dhe politike: “Desha një ballafaqim idesh, një platformë, një ekip. Por sot nuk ka kushte të barabarta dhe prandaj nuk marr pjesë në këtë garë”.

Megjithatë, Hoxhaj deklaroi se e respekton vendimin e delegatëve duke shtuar se vizioni i tij mbetet i njëjtë: “E dua Kosovën, e dua UÇK-në, pastaj PDK-në, pastaj Hashimin dhe Kadrinë. Këtë që po e them sot, ju bie ndërmend nesër”.

Fjalimi i tij u shoqërua me duartrokitje nga delegatët, ndërsa mungesa e tij në garë pritet të ndikojë në dinamikën e brendshme të partisë në periudhën e ardhshme. /Kosova.info/


Go to TOP