Hoxha-Pratipatti: Bashkëpunim për sigurinë dhe rendin publik
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, zhvilloi një takim me znj. Anu Pratipatti, të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Takimi u mbajt në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës dhe u fokusua në diskutimin e çështjeve me rëndësi për sigurinë e përgjithshme në vend.
Gjatë takimit, drejtori Hoxha theksoi përkushtimin e Policisë së Kosovës për përmbushjen me sukses të detyrave dhe objektivave strategjike, bazuar në misionin e saj si një forcë profesionale që shërben qytetarëve dhe ruan rendin kushtetues në nivel vendi.
Të dyja palët nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë dhe koordinimit të vazhdueshëm ndërinstitucional për të garantuar siguri publike dhe për të rritur besimin e qytetarëve në institucionet e rendit. Drejtori Hoxha shprehu gatishmërinë e tij për të avancuar më tej partneritetin me Ambasadën Amerikane, veçanërisht në fushat me interes të përbashkët për forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e komuniteteve. /Kosova.info/
