Hoti: RTK po instrumentalizohet nga pushteti, gazetarët kritik po censurohen

Ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) duke akuzuar menaxhmentin e institucionit për shkelje ligjore dhe censurë të hapur ndaj gazetarëve kritikë ndaj pushtetit.

Në një deklaratë publike, Hoti thekson se stafi i RTK-së është lënë pa paga, edhe pse, sipas tij, ekziston zgjidhja e qartë dhe e praktikuar edhe më herët për të siguruar pagesën e rregullt pa u dëmtuar buxheti i shtetit.

“Krejt stafin e RTK-së e lënë pa rroga, edhe pse e dinë se kjo situatë zgjidhet sipas praktikave të mëparshme, pa u dëmtuar asnjë cent i buxhetit të planifikuar. Tash i censurojnë gazetarët që e kritikojnë pushtetin, ndërkaq i favorizojnë ata që i miklojnë ministrat në intervista,” ka thënë Hoti.

Ai e ka cilësuar këtë qasje si të papranueshme dhe të ngjashme me praktikat e mediumeve publike në regjime jodemokratike. “Kjo është kundër parimeve të funksionimit të mediumit publik të pavarur,” ka shtuar ai.

Sipas Hotit, zyrtarët e lartë të RTK-së që po marrin vendime të tilla e dinë se po bëjnë shkelje ligjore duke lejuar që institucioni të instrumentalizohet nga pushteti.

“Çfarë zori kanë që lejojnë të instrumentalizohen në këtë mënyrë nga pushteti, do ta marrim vesh me kohë. Por ligjit nuk i shpëtojnë, sado me vonesë. Lista është bërë e gjatë e atyre që do të mbajnë përgjegjësi për këto shkelje,” ka përfunduar Hoti. /Kosova.info/


Go to TOP