Hoti: LDK-ja do të ringrihet përmes unitetit dhe vizionit euro-atlantik
Deputeti dhe ish-Kryeministri Avdullah Hoti ka falënderuar qytetarët dhe anëtarësinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës për mbështetjen e dhënë gjatë zgjedhjeve të fundit. Në një mesazh të publikuar sot, Hoti thekson se rezultati i arritur nuk pasqyron potencialin e plotë të partisë, por nuk zvogëlon vlerën e angazhimit dhe punës së çdo anëtari të LDK-së në mbarë vendin.
“Shpreh mirënjohje dhe respekt për Kryetarin Lumir Abdixhiku, kolegët e kryesisë, degët e nëndegët, si dhe për anëtarësinë besnike që e mban LDK-në gjallë edhe në kohë sfiduese,” tha Hoti.
Ai nënvizoi se besimi i dhënë nga qytetarët për t’i përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës nuk është vetëm mbështetje personale, por një obligim për fuqizimin dhe ringritjen e shtëpisë politike të LDK-së. Hoti theksoi se anëtarësia dhe elektorati i LDK-së kërkojnë forcim të vlerave themeltare të partisë: demokracinë e brendshme, guximin politik, vizionin shtetformues dhe orientimin euro-atlantik.
“LDK-ja ka nevojë për unitet të brendshëm, ndërkohë që siguron ballafaqim të hapur të ideve për të ardhmen e saj. Kur LDK-ja është e bashkuar dhe e udhëhequr me vizion, ajo di të ringrihet, t’i shërbejë vendit dhe bashkë me të, të fitojë,” tha Hoti.
Ai gjithashtu ripërsëriti përkushtimin për të punuar për fuqizimin e demokracisë, shtetësisë dhe integrimit euro-atlantik të Kosovës duke e cilësuar LDK-në si një vlerë dhe domosdoshmëri për demokracinë e vendit.
“Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës! Zoti e bekoftë popullin tonë!” përfundon Hoti në mesazhin e tij. /Kosova.info/
