Holanda dhe Franca nisin me fitore bindëse Evropianin
Holanda dhe Franca i kanë nisur me fitore ndeshjet në Grupin D të Kampionatit Evropian për femra, duke dëshmuar ambiciet për trofeun kontinental.
Holanda shënoi fitore të pastër 3-0 ndaj Uellsit, kurse Franca ka mposhtur Anglinë 2-1.
Skuadra e trajnerit Andries Jonker ka qenë favorite në letër dhe këtë e ka dëshmuar që në minutat e para, kur Jill Roord ka pasur një rast të mirë, por është ndalur nga portierja Olivia Clark. Dominimi ka vazhduar gjatë gjithë pjesës së parë, dhe në minutën e tretë të shtesës, Vivianne Miedema e ka realizuar golin e parë.
Fillimi i pjesës së dytë ka qenë edhe më i mirë për “Oranje”, me Daniëlle van de Donk që ka depërtuar në mbrojtjen kundërshtare dhe ka asistuar për Victoria Pelova, e cila e ka dyfishuar rezultatin. Vetëm pak minuta më pas, Esmee Brugts ka shënuar golin e tretë pas një krosimi të Pelova.
Holanda ka pasur mundësi edhe për një gol të katërt, por tentativa e Chastity Grant është larguar nga vija fatale.
Ndërsa në ndeshjen tjetër, Anglia ka qenë pranë golit në minutën e parë me Lauren James, ndërsa më vonë ka menduar se ka kaluar në epërsi me Alessia Russon, por aksioni është anuluar për pozicion jashtë loje të Beth Mead.
Franca ka reaguar fort dhe ia ka arritur të kalojë në epërsi me anë të Marie-Antoinette Katotos, pas një krosimi nga Delphine Cascarino. Më pas, përmes një veprimi të Sandy Baltimore, francezet kanë shënuar edhe golin e dytë në fund të pjesës së parë.
Në pjesën e dytë, Anglia ka pasur disa tentativa, ndërsa e ka gjetur golin e nderit me Keira Walsh, por ka qenë shumë vonë për të ndryshuar rrjedhën e lojës.
