Haxhiu: Mbështetja për ekspozitën është marrë në kryesi, do të forcojmë kontrollin

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka sqaruar vendimin për mbështetjen financiare të ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”.

Në një postim në Facebook Haxhiu tha se vendimi është marrë nga Kryesia e Kuvendit në përputhje me rregulloren për subvencionim dhe se, përveç përfaqësuesve të Listës Serbe, të gjithë anëtarët e tjerë kanë votuar pro.

 Ajo shtoi se nuk ka pasur indikacione për pasaktësi në informacionin e paraqitur në atë kohë dhe se verifikimi i të dhënave nuk bie në kompetencën e drejtpërdrejtë të Kryesisë.

“Si Kryetare e Kuvendit, ndjej obligim institucional dhe moral të shpreh keqardhjen time për situatën e krijuar,” shkroi Haxhiu, duke theksuar se mbështetja është dhënë me qëllim të mirë.

Ajo gjithashtu njoftoi se do të ndërmerren hapa konkretë për të forcuar mekanizmat e vlerësimit, përmes themelimit të komisioneve profesionale dhe ndryshimit të rregullores ekzistuese, për të rritur transparencën dhe llogaridhënien në vendimmarrje. /Kosova.info/


Go to TOP