Havolli: Vuçiq ka prapavijë të fshehtë, tërheqja e tij është strategjike

Profesor Ymer Havolli ka vlerësuar se deklarata e fundit e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, për zgjedhje të reja në veri të Kosovës, mund të interpretohet si një lëvizje strategjike e tij për përfitime personale. Sipas Havollit, ndonëse ky hap është konsideruar pozitiv nga kryeministri Albin Kurti dhe partia e tij, Vuçiq po vepron me dinakëri politike.

“Edhe kur i bie pishman, ai ka diçka në prapavijë,” tha Havolli, duke shtuar se Vuçiq shpesh ka shfrytëzuar situatën në veri për të zgjidhur hesapet e brendshme politike në Serbi.

Havolli theksoi se ndonëse Vuçiq synon përmirësimin e imazhit ndërkombëtar duke u treguar i hapur për dialog, qëllimi i tij i vërtetë është forcimi i pozicionit të Serbisë në rajon dhe bllokimi i Kosovës në aspektin politik. Sipas tij, ky është një përpjekje për ta paraqitur Kosovën si të padëgjueshme ndaj faktorit ndërkombëtar.

“Dinakëria e tij shfaqet përmes veprimeve të fshehta, ku përfiton nga lëshimet që ne bëjmë për paqe në zgjedhjet lokale në veri të Mitrovicës,” përfundoi Havolli. /Kosova.info/

Go to TOP