Harry Maguire dënohet me burg me kusht në Greqi

Mbrojtësi i Anglisë dhe i Manchester United, Harry Maguire, është dënuar me pesëmbëdhjetë muaj burg me kusht nga një gjykatë greke për incidentin e vitit 2020 në Mykonos.

Ai ishte shpallur fajtor për lëndime të përsëritura trupore, rezistencë ndaj arrestimit dhe tentim ryshfeti, pas një përleshjej ku ishin përfshirë edhe dy policë. Maguire ishte ndaluar për dy ditë dhe kishte mohuar çdo faj.

Fillimisht, ai ishte dënuar me njëzet e një muaj e dhjetë ditë burg, por pas ankesës, vendimi ishte anuluar dhe rasti kishte shkuar në rigjykim në një gjykatë më të lartë. Rigjykimi ishte shtyrë disa herë.

Tridhjetë e dy vjeçari është shpallur sërish fajtor, por nuk do të vuajë dënim me burg. Ekipi i tij ligjor pritet të apelojë përsëri vendimin.

Edhe vëllai i tij Joe Maguire dhe miku Christopher Sharman ishin dënuar me burg me kusht për të njëjtin rast në vitin 2020, duke mohuar po ashtu akuzat.


Go to TOP