Harry Bajraktari kujton 56-vjetorin e emigrimit në SHBA: Nga sakrifica në realizimin e ëndrrës amerikane

Familja Bajraktari mbërriti në New York më 24 shkurt 1970; në vitin 2019 u nderua nga Kongresi amerikan për kontributin në shoqëri dhe ekonomi

Biznesmeni dhe veprimtari shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, ka kujtuar 56-vjetorin e mbërritjes së familjes së tij në New York, një moment që shënoi nisjen e një jete të re larg Kosovës.

Më 24 shkurt 1970, prindërit e tij, Metë dhe Ziza Bajraktari, bashkë me fëmijët, emigruan drejt Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke u larguar nga Kosova për shkak të, siç thekson ai, shtypjes politike dhe ekonomike të regjimit komunist jugosllav.

“Fillimet ishin të vështira: nuk kishim asgjë, përveç besimit dhe vendosmërisë për një jetë më të mirë. Amerika na dha atë që na ishte mohuar: lirinë, mundësinë dhe shpresën,” shprehet Bajraktari.

Ai vlerëson sakrificën dhe përkushtimin e prindërve të tij, të cilët punuan me ndershmëri për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për familjen. Sipas tij, përmes punës dhe përkushtimit, familja Bajraktari arriti të jetësojë ëndrrën amerikane.

Një moment i veçantë për familjen ishte viti 2019, kur Kongresi i Shteteve të Bashkuara nderoi familjen Bajraktari me rastin e 50-vjetorit të ardhjes në SHBA duke vlerësuar rrugëtimin e tyre nga emigrantë në kontribuues aktivë në ekonominë dhe shoqërinë amerikane.

Kronika e realizuar atë ditë nga Zëri i Amerikës pasqyron historinë e familjes dhe sfidat e kapërcyera ndër vite.

Në këtë përvjetor, Bajraktari shpreh mirënjohjen e përjetshme ndaj prindërve të tij dhe falënderon Shtetet e Bashkuara për mundësinë që i dhanë familjes së tij për të ndërtuar një jetë me dinjitet dhe liri.

“Zoti e bekoftë familjen time, komunitetin shqiptaro-amerikan dhe gjithë Amerikën,” përfundon ai duke e cilësuar këtë datë si një moment reflektimi dhe falënderimi. /Kosova.info/


Go to TOP