Haradinaj: Vendimi për sanksionimin e krerëve të krimit, lajm i shkëlqyeshëm për Kosovën

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka reaguar pas vendimit të SHBA-së për të vendosur sanksione ndaj krerëve të krimit të organizuar në veri të Kosovës.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sanksionimin e krerëve të krimit të organizuar në Kosovë, është lajm i shkëlqyeshëm për Kosovën.

“SHBA dhe Kosova janë të përkushtuar për sundimin e ligjit dhe kjo është një përpjekje e përbashkët për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.  Vendimi do të ndihmojë misionin tonë të përbashkët për të goditur krimin transnacional në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor”, shkruan Haradinaj.

Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka targetuar sot rrjetet e korrupsionit disa shtete të Evropës dhe Hemisferës Veriore, në mesin e tyre edhe Zvonko Veselinoviqin dhe grupin e tij të krimit të organizuar si përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë.

Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko Jovan Veselinoviq kanë pasur marrëveshje me politikanë për t’i ndihmuar partitë e tyre për t’i fituar zgjedhjet dhe në këmbim politikanët do t’i garantonin vëllezërve Veselinoviq kontroll të disa bizneseve në disa rajone, thuhet në komunikatë.

Lista e grupit të organizuar kriminal të Zvonko Veselinoviqit përfshinë Rosiq, Andrija Zhelko Bojiq, Srgjan Milivoje Vuloviq, Milan Mihajloviq, Milan Radisavljeviq, Radovan Radiq, Sinisa Nedeljkoviq, Radule Steviq.

Go to TOP