Haradinaj: Ribashkimi i Gjermanisë i dha shpresë Evropës – mirënjohës për mbështetjen ndaj Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se ribashkimi i Gjermanisë, 35 vjet më parë, ka qenë një moment historik që i dha Evropës dhe botës shpresë për një të ardhme paqësore dhe të bashkuar.

Në një postim pas pjesëmarrjes në pritjen zyrtare të organizuar nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë për shënimin e “Ditës së Bashkimit Gjerman”, Haradinaj u shpreh se kishte kënaqësi të veçantë të takohej me ambasadorin e ri gjerman në Prishtinë, Rainer Rudolph, me të cilin diskutoi për zhvillimet aktuale në vend dhe për forcimin e partneritetit mes dy shteteve.

“Ribashkimi i Gjermanisë, 35 vjet më parë, i ka dhënë shpresë dhe besim të ri, një të ardhmeje paqësore Evropës dhe tërë botës. Ishte kënaqësi e veçantë që sonte, me rastin e shënimit të Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, në eventin e organizuar nga ambasada gjermane në Kosovë, të shkëmbej mendime të vlefshme me ambasadorin e ri të Gjermanisë në Kosovë, z. Rainer Rudolph, për zhvillimet aktuale në vend dhe për thellimin e partneritetit mes dy shteteve tona,” ka deklaruar Haradinaj.

Kreu i AAK-së vlerësoi gjithashtu rolin dhe kontributin e Gjermanisë në procesin e shtetndërtimit të Kosovës duke theksuar se populli kosovar do të mbetet përgjithmonë mirënjohës për këtë mbështetje të vazhdueshme.

“Gjermania ka dhënë mbështetje shumë të madhe për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës dhe për këtë, populli ynë do të jetë përgjithmonë mirënjohës,” theksoi ai.

Në këtë event morën pjesë personalitete të larta të jetës politike e diplomatike në vend, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë Albin Kurti, si dhe ambasadorë të akredituar në Prishtinë. /Kosova.info/


Go to TOP