Haradinaj: Qeveri që rrit çmimin e rrymës natën dhe mohon pagat e policisë ditën, është satelit i Serbisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës, duke e akuzuar atë për sjellje në dëm të qytetarëve dhe forcave të sigurisë së vendit.

Përmes një postimi, Haradinaj ka thënë se kjo qeveri, që në mesnatë pajtohet për rritje të çmimit të energjisë elektrike, ndërsa në dritë të diellit mohon të drejtën e policëve për t’u paguar për orët shtesë të punës, nuk mund të quhet qeveri e Kosovës.

“Një qeveri që në mesnatë vendos t’ua shtrenjtojë rrymën qytetarëve, e ditën t’u mohojë policëve të Kosovës pagesën për orët shtesë të shërbimit, është gjithçka tjetër, veçse qeveri e Kosovës jo. Është satelit i Serbisë,” ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka theksuar se kjo qeveri po e rëndon jetën e qytetarëve dhe po e injoron punën e atyre që rrezikojnë jetën për sigurinë e vendit, duke e cilësuar këtë sjellje si të papranueshme dhe të dëmshme për Kosovën. /Kosova.info/


Go to TOP