Hapet Spitali Veterinar “Mitro Vet” në Mitrovicë, një investim modern për kujdesin ndaj kafshëve

Në një ceremoni solemne të mbajtur në Mitrovicë, është inauguruar Spitali Veterinar “Mitro Vet”, një nga institucionet më moderne veterinare në Kosovë, i ndërtuar falë bashkëpunimit ndërmjet veterinarit Labinot Osmani dhe Fondacionit “StrayCoCo” nga Zvicra.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, pronari i spitalit, DMV. Labinot Osmani, tha se hapja e “Mitro Vet” përfaqëson kurorëzimin e një pune të gjatë, të shoqëruar me sakrificë, përkushtim dhe një mision të qartë për të shpëtuar jetë, për të lehtësuar dhimbjen dhe për të kontribuar në mirëqenien e kafshëve të shoqërimit, si dhe në mbrojtjen e shëndetit publik.

“Premtimi ynë është i thjeshtë: angazhim, përgjegjësi dhe profesionalizëm për çdo jetë që hyn në këtë spital”, theksoi Osmani.

Ai shprehu mirënjohje të veçantë për Fondacionin “StrayCoCo”, presidenten e tij, Dr. Helen Wormser, si dhe përfaqësuesen e fondacionit në Kosovë, veterineren holandeze Birgit Brants, për mbështetjen e jashtëzakonshme në realizimin e këtij projekti.

Sipas Osmanit, falë këtij partneriteti është bërë e mundur ndërtimi i një spitali veterinar të pajisur me teknologji bashkëkohore, i cili do t’u ofrojë kafshëve shërbime dhe trajtime sipas standardeve më të larta profesionale.

Në fund të ceremonisë, Osmani falënderoi familjen, miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që kanë mbështetur realizimin e këtij projekti duke e cilësuar “Mitro Vet” si fillimin e një rruge të madhe në shërbim të kafshëve.

“Ky është një vend ku zëri i atyre që nuk flasin do të dëgjohet gjithmonë”, përfundoi ai.

Nga ana tjetër, veterinerja Birgit Brants duke folur në emër të Fondacionit “StrayCoCo”, uroi hapjen e klinikës së re dhe vlerësoi bashkëpunimin me veterinerin Labinot Osmani.

“Sot festojmë hapjen e klinikës së katërt në Kosovë. Kjo klinikë është financuar edhe nga fondacioni ynë dhe është realizuar në bashkëpunim me veterinerin Labinot Osmani. Ne i urojmë Labinotit shumë suksese në të ardhmen”, deklaroi Brants. /Kosova.info/


Go to TOP