Hapet për qarkullim aksi Thumanë-Kashar, do të jetë me pagesë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro, kanë ndjekur nga afër hapjen e qarkullimit të aksit Thumanë-Kashar.

Duke iu referuar faktit se ky është segmenti i parë i Korridorit Blu që i paraprin tre kantiereve të tjera, Thumanë – Milot, Kashar – Lekaj dhe Lekaj – Fier, kryeministri Edi Rama tha se kjo rrugë është një vend, ku të gjithë ata që duan të shohin me syrin imagjinar se çfarë është “Shqipëria 2030” të vijnë ta shohin.

“Kjo rrugë është një vend ku të gjithë ata që duan ta prekin me syrin e imagjinatës çfarë është Shqipëria 2030 mund ta shohin sepse brenda kësaj periudhe e gjithë rruga, nga lart në Muriqan e deri në Vlorë do të jetë kështu, ky është Korridori Blu dhe ndërkohë edhe Korridori i VIII do të jetë tërësisht i përfunduar e po ashtu, – pasi kam vënë re që ka shumë komente për pjesën e rrugës Tiranë-Durrës dhe pjesën e rrugës së vjetër të Ndroqit, – shumë shpejt do të fillojë edhe ai projekt dhe autostrada Tiranë-Durrës do të zgjerohet ndërkohë që rruga e vjetër e Ndroqit do të mbetet ajo që është, por do të jetë një rrugë turistike, panoramike, e cila do të mundësojë një kalim alternative, por dhe nuk diskutohet një qarkullim shumë më të këndshëm në atë segment” – u shpreh Kryeministri, ndërsa theksoi se edhe punimet për tunelin e Murrizit janë në rrugë të mbarë, pavarësisht problematikave të shumta me gjeologjinë e tokës.

Ndërkaq, vlen të përmendim që në këtë aks, shpejtësia maksimale do të jetë 130 km/h si në asnjë aks rrugor tjetër të vendit tonë, e po ashtu do ketë një pagesë prej 210 lekësh për çdo automjet. /Kosova.info/

Go to TOP