Hapet ekspozita e piktorit Haki Xhakli në Helsinki

Mbrëmë në Galerinë “Luckan” në Helsinki në Finlandë, u hap ekspozita personale e piktorit Haki Xhakli me titullin “Jehona e qëndrueshmërisë”.

Ekspozita përmban 26 piktura me vlera unike, që paraqesin cikle të ndryshme të periudhave para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Fjalën e rastit në hapje, përveç autorit Xhakli, e mori edhe kuratori Larrie Griffis, producent dhe përgjegjës për kulturë në qendrën kulturore “Luckan”, i cili foli për rëndësinë e ekspozitës dhe bashkëpunimin me artistët ndërkombëtarë, siç është rasti i Kosovës, si dhe për krijimin e urave të bashkëpunimit mes vendeve.

“Krijimtaria ime shpreh ndërveprimin e thellë me kulturën dhe historinë tonë, duke paraqitur bukurinë dhe vendosmërinë e popullit tim për të përballuar sfidat dhe vuajtjet. Me simbole të thella dhe ngjarje të lashta, pikturat e ekspozuara këtu në Helsinki përshkruajnë trashëgiminë tonë dhe shpirtin tonë të palëkundshëm, por edhe të ardhmen e ndritur”, ka thënë Xhakli

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorë në qendrën kulturore Luckan Helsinki, deri me 30 maj.

Go to TOP