Hamiti kritikon qasjen e Qeverisë: Kosova me politikë të jashtme të çakorduar dhe pa njohje të reja
Ish-ambasadori Muhamet Hamiti ka kritikuar ashpër qasjen e Kryeministrit Albin Kurti në procesin e dialogut me Serbinë duke e akuzuar për pranimin e Marrëveshjes së Brukselit të 27 shkurtit 2023, Aneksit të Ohrit të 18 marsit të po atij viti dhe Draftit të BE-së për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të 21 tetorit 2023.
Sipas Hamitit, ky draft ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe krijonte autonomi politiko-territoriale për serbët, siç kishin paralajmëruar ekspertët kushtetues. Ai kujton se më 26 tetor 2023, Qeveria e Kosovës kishte deklaruar gatishmërinë e Kurtit për të nënshkruar të gjitha këto dokumente, përfshirë edhe Draftin e BE-së.
Ndërkaq, më vonë, sipas tij, Kurti e cilësoi Draftin si “non-paper”, pa dhënë shpjegime për ndryshimin e qëndrimit të tij. Hamiti vlerëson se ky qëndrim ka dëmtuar pozicionin e Kosovës në procesin e dialogut dhe ka krijuar paqartësi të mëdha.
Ai rikujton se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e kishte kundërshtuar Draftin që në fillim duke e konsideruar atë si një dokument të bazuar në Rezolutën 1244 të OKB-së, që krijonte pushtet të ri në territorin e Kosovës dhe zëvendësonte Gjykatën Kushtetuese me një sistem arbitrazhi. Sipas LDK-së, ky ishte rezultat i politikave të gabuara të qeverisë dhe mungesës së koordinimit me aleatët.
Kritikat ndaj Draftit janë shprehur tashmë edhe nga Presidentja Vjosa Osmani, e cila me një vonesë prej një viti e gjysmë ka deklaruar se ky draft-statuti nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, vlerat dhe normat e BE-së, si dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.
Hamiti ka kritikuar gjithashtu politikën e jashtme të Kosovës nën qeverisjen aktuale duke e cilësuar atë të çakorduar dhe pa rezultate konkrete. Ai ka theksuar se në katër vitet e fundit Kosova nuk ka arritur asnjë njohje të re dhe asnjë anëtarësim relevant në organizata ndërkombëtare. Sipas tij, dështimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe sanksionet e BE-së janë pasojë e keqmenaxhimit të politikës së jashtme nga Qeveria e Albin Kurtit. /Kosova.info/
