Hamiti: Kosova më keq se kurrë, qytetarët duhet të dalin nga kurthi i populizmit të Kurtit

Ish-këshilltari i Presidentit Rugova dhe profesori universitar, Muhamet Hamiti, ka reaguar ashpër ndaj gjendjes aktuale politike në vend duke e cilësuar Kosovën si më të dobëtën që nga shpallja e pavarësisë.

Në një postim të tij, Hamiti ka theksuar se Kosova, nën udhëheqjen e zgjedhur para gati pesë vjetësh, është futur në krizë të thellë shoqërore, politike dhe ekonomike duke u gjetur nën sanksione të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më larg se kurrë nga integrimet euro-atlantike.

Sipas tij, autorësinë për këtë gjendje e mban udhëheqësia aktuale e Kosovës, e cila, siç thotë, ndodhet në fund të mandatit të saj të stërzgjatur.

“Për t’i dhënë fund katandisjes së mëtejme të vendit të vet, qytetarët e Kosovës duhet të zgjedhin të tjerë udhëheqës, puna e parë e të cilëve do të jetë të sanuar dëmet kolosale të lidershipit të vitit 2021,” shkruan Hamiti.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e ardhshme të reflektojnë dhe të mos bien më pre e populizmit.

“Duhet më në fund me nxjerrë mësime prej pësimeve! Duhet me dalë prej kurthit të populizmit të Kurtit & Company,” ka përfunduar Hamiti. /Kosova.info/


Go to TOP