Hadergjonaj: Qeveria la pa buxhet Kompleksin Memorial të Koshares, 27-vjetori po afrohet pa asnjë investim serioz

Deputeti i LDK-së, Fadil Hadergjonaj – Bjeshka, ka reaguar në seancën e Kuvendit gjatë shqyrtimit dhe votimit të Projektbuxhetit për vitin 2026 duke ngritur shqetësimin për mungesën e mjeteve për vazhdimin e punimeve në Kompleksin Memorial “Beteja e Koshares”.

Sipas tij, projekti për fazën e katërt të Kompleksit Memorial “Beteja e Koshares”, i ofertuar në vitin 2022 nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës (AMKMK), me vlerë 2 milionë euro, ishte paraparë të niste më 15 shtator 2022 dhe të përfundonte më 31 dhjetor 2024, por nuk ka filluar asnjëherë.

Ky projekt përfshinte rregullimin e hapësirës për varrezat e veteranëve, ndërtimin e urës për kalimin e lumit, ndërtimin e amfiteatrit, muzeut, rregullimin e rrugës deri te karakolli si dhe punë të tjera përcjellëse.

Hadergjonaj theksoi se në buxhetin e propozuar për vitin 2026 nuk figurojnë mjetet e parapara sipas projektit fillestar, ndërsa për vazhdimin e punimeve janë planifikuar vetëm 50 mijë euro, shumë që sipas tij është e pamjaftueshme edhe për mirëmbajtje, e lëre më për realizimin e plotë të projektit.

Ai bëri të ditur se ka propozuar amendament për rikthimin e mjeteve të projektit, i cili ka mbetur pezull që nga viti 2022, por amendamenti është kundërshtuar nga shumica parlamentare e Lëvizja Vetëvendosje dhe nuk është miratuar.

Deputeti i LDK-së e lidhi këtë çështje me 27-vjetorin e thyerjes së kufirit më 9 prill duke e cilësuar Betejën e Koshares si një nga operacionet më madhore të Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që sipas tij vulosi rrugën e lirisë dhe pavarësisë së vendit.

“Shtroj pyetjen se çfarë do t’u thuhet familjarëve të dëshmorëve, invalidëve dhe protagonistëve të kësaj beteje heroike në këtë përvjetor, kur mungon edhe vullneti për të buxhetuar një projekt të inicuar nga vetë qeveria në vitin 2022”, ka deklaruar ai.

Në fund, Hadergjonaj theksoi se kujtesa historike nuk mbahet me fjalë, por me vepra konkrete dhe buxhetim të dinjitetshëm duke shprehur nderim për dëshmorët, martirët, invalidët dhe veteranët e luftës. /Kosova.info/


Go to TOP