Hadergjonaj: I dhamë lamtumirën e fundit bashkëluftëtarit Vllaznim Maloku, lavdi jetës dhe veprës së tij
Njëri nga komandantët e Betejës më të lavdishme të UÇK-së, asaj së Koshares, Fadil Hadergjonaj – Bjeshka, ka marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të veteranit të UÇK-së, Vllaznim Maloku, të cilit iu dha lamtumira e fundit me nderime ushtarake
Hadergjonaj bëri të ditur se në ceremoninë mortore morën pjesë familjarë, bashkëluftëtarë të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore, shoqata të dala nga lufta e UÇK-së, kolegë, bashkëpunëtorë dhe qytetarë të shumtë.
“Sot, në praninë e familjes, bashkëluftëtarëve tanë në krye me stafin drejtues të Brigadës 138 ‘Agim Ramadani’, pjesë e së cilës ishte edhe vetë Vllaznimi, i dhamë lamtumirën e fundit me nderime ushtarake bashkëluftëtarit tonë, Vllaznim Maloku”, ka shkruar ai.
Ai e vlerësoi Malokun si një luftëtar të përkushtuar dhe atdhetar që i qëndroi besnik idealeve të lirisë deri në fund të jetës.
“Me dhimbje e respekt të thellë e përcollëm në amshim një luftëtar të devotshëm, një shok të mirë dhe një atdhetar që i qëndroi besnik idealeve të lirisë deri në fund. Kontributi, përkushtimi dhe kujtimi i tij do të mbeten përherë pjesë e historisë sonë të përbashkët dhe e krenarisë së brezave që vijnë”, theksoi Hadergjonaj.
Në fund, ai u shprehu ngushëllime familjes Maloku, bashkëluftëtarëve dhe të gjithë atyre që e njohën të ndjerin.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për të! Lavdi jetës dhe veprës së tij!”, përfundoi ai. /Kosova.info/
