Guxo del në mbrojtje të ministrit Peci: Prokuroria Speciale po bëhet pjesë e lojërave politike
Partia Guxo ka reaguar me një deklaratë të fortë publike duke shprehur shqetësimin për, siç e cilëson, politizimin e veprimeve të fundit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Në fokus të reagimit është Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, të cilin Guxo e vlerëson si një nga ministrat më të suksesshëm të Qeverisë Kurti 2.
Sipas partisë, sulmet ndaj ministrit Peci janë të motivuara politikisht dhe përbëjnë përpjekje për të njollosur figurat e ndershme që po kontribuojnë në forcimin e shtetit të së drejtës. “Krejt rastësisht, prokurori i këtij rasti të sajuar është ish-sekretar i Forumit Rinor të PDK-së në Prizren”, thuhet në deklaratën e Guxo duke vënë në dyshim paanësinë e procesit hetimor.
Partia e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e përshkruan ministrin Peci si simbol të përkushtimit në luftën kundër korrupsionit dhe në mbrojtjen e pronës publike. “Ai ka vepruar pa kompromis ndaj çdo forme të uzurpimit, pa dallime politike apo lidhje të tjera të ndikimit”, theksohet më tej.
Sipas Guxo-s, nën udhëheqjen e Pecit, Ministria e Bujqësisë ka përjetuar një transformim të thellë, me politika të drejta në shpërndarjen e granteve dhe donacioneve, të bazuara në meritokraci dhe orientim të qartë drejt fermerëve që kontribuojnë realisht në zhvillimin rural.
“Partia Guxo qëndron fuqishëm përkrah Ministrit Peci dhe dënon çdo përpjekje për njollosjen e figurave të ndershme që punojnë për interesin publik. Këto sulme politike nuk do ta ndalin betejën tonë për një shtet të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët”, përmbyllet deklarata. /Kosova.info/
