Gratë në media, rol kyç në ndërtimin e një shoqërie të drejtë

Për nderë të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, për gratë në media u organizua një konferencë rajonale me titullin “Gazetaret femra në qendër të vëmendjes”, ku u tha se ato luajnë një rol kyç në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe të informuar.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Rrjeti i Grave Gazetare, në bashkëpunim me Ambasadën e Britanisë, UN Women dhe OSBE-në në Kosovë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, organizuan konferencën rajonale “Gazetaret femra në qendër të vëmendjes”, ku u tha se gratë në media luajnë një rol kyç në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe të informuar.

“AGK-ja për vite të tëra e ka përmendur gjithmonë në rend të parë këtë temë. Kemi përfaqësim të madh të grave dhe ne jemi krenar për këtë. Gratë madje marrin shpërblime vjetore për gazetari për punën e shkëlqyer që e bëjnë. Tre nga katër gazetarët e vitit e shpërblyer vitet e fundit këtu janë gra. Kjo kërkon një guxim veçanërisht në mjediset që janë pak a shumë armiqësor dhe nevojitet vërtet një guxim për ta bërë një punë në mënyrë të duhur dhe profesionale”, tha Xhemajl Rexha, kryetar i AGK-së.

Shefja e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Tuzi Nushi, në fjalën e saj theksoi se fuqizimi i grave gazetare nuk është vetëm çështje individuale, por kërkon solidarizim rajonal.

“Ne për t’i inkurajuar më shumë gratë dhe vajzat me u angazhua sa më shumë në gazetari, patë bërë një analizë me AGK-në se ku janë gratë në pozita vendimmarrëse dhe ku janë gratë në prime – time. Fatkeqësisht ne jemi ende dëshmitar të shohim në çdo mbrëmje prime-time , burra. Vetëm burra. Burra udhëheqës, burra panelistë, burra analistë, sido që t’i quajmë të cilët na flasin një gjuhë që jo të gjithë e pëlqejmë dhe fokusi dhe temat e tyre, nuk janë ato të cilat i prekin qytetarët dhe secilin qytetare”, tha Nushi.

Cornelia Taylor, udhëheqëse në detyrë e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ngriti shqetësimin për ngacmimet seksuale ndaj gazetareve.

“Një në katër gazetare në Kosovë ka raportuar ngacmim seksual në punë dhe ky numër është i papranueshëm. Nuk po flasim për qëndrueshmërinë individuale, por këtu ka të bëjë me barriera sistematike që pengojnë zhvillimin dhe përjashtojnë gratë nga formësimi i vendimeve editoriale dhe të storieve të cilat tregohen”, ths Taylor.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, e quajti shqetësuese përfaqësimin e ulët të grave në debatet televizive.

Nëse shohim disa prej statistikave që janë ofruar prej Demokracia për Zhvillim në zgjedhjet e fundit, mendohet që është e jashtëzakonshme që prej 376 debateve, vetëm 22 për qind kanë qenë gra pjesëmarrëse në këto debate dhe nga koha televizive që u është ofruar kandidatëve, vetëm 12 për qind u është dhënë kohë grave. Dhe me të vërtetë, këto statistika janë tronditëse dhe shpresoj që në të ardhmen të mund të bëjmë diçka më mirë derisa u afrohemi zgjedhjeve lokale dhe kushedi edhe në zgjedhjet e ardhshme”, thotë ambasadori Hargreaves.

Konferenca mblodhi gazetare nga Kosova dhe rajoni, diplomatë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, të cilët diskutuan mbi rëndësinë e rrjetëzimit, sigurinë e gazetarëve dhe sfidat me të cilat përballen gratë në media.


Go to TOP