Gordon pranë largimit nga Newcastle, e kërkon gjiganti gjerman

Sulmuesi anësor i Newcastle United, Anthony Gordon, raportohet se është shumë pranë largimit nga klubi anglez, me Bayern Munich që po konsiderohet destinacioni më i mundshëm për të ardhmen e tij.

Sipas medieve britanike, futbollisti anglez favorizon transferimin te gjiganti bavarez dhe palët kanë arritur marrëveshje paraprake për kushtet personale të kontratës. Thuhet se Gordon pritet të nënshkruajë një marrëveshje pesëvjeçare me kampionët e Gjermanisë.

Megjithatë, negociatat mes klubeve vazhdojnë për shumën e transferimit. Newcastle kërkon mbi 75 milionë funte për 25-vjeçarin, ndërsa Bayern Munich është i gatshëm të ofrojë rreth 55 milionë funte.

Trajneri i Newcastle, Eddie Howe, la të kuptohet në konferencën e fundit për shtyp se largimi i Gordon është shumë pranë realizimit.

“Kur arrin në këtë fazë të sezonit, natyrisht që fillon të mendosh për vitin e ardhshëm. Anthony sapo është rikthyer nga lëndimi dhe skuadra ka luajtur mirë edhe në mungesë të tij”, deklaroi Howe.

Siç raportohet, Newcastle nuk dëshiron të rrezikojë aktivizimin e lojtarit në dy ndeshjet e fundit të sezonit për shkak të mundësisë së ndonjë lëndimi që mund të komplikojë transferimin veror.

Që nga transferimi i tij te Newcastle, Gordon ka zhvilluar 152 ndeshje, duke realizuar 39 gola dhe 28 asistime në të gjitha garat.


Go to TOP