Golden Eagle Ylli e nis me fitore edicionin e ri
Golden Eagle Ylli e ka filluar me sukses edicionin e ri të Superligës së Kosovës në basketboll, duke triumfuar ndaj skuadrës debutuese Borës me rezultat 74:67.
Vendasit e Borës e kanë filluar takimin shumë mirë, duke krijuar një epërsi të madhe prej 24:8 në fillim të çerekut të parë, i cili ka përfunduar me shifrat 27:13. Megjithatë, therandasit janë rikthyer fuqishëm në periudhën e dytë, duke barazuar rezultatin në 41:41, aq sa ka përfunduar pjesa e parë.
Çereku i tretë ishte më i baraspeshuar, me të dy skuadrat që kanë luftuar për çdo pikë. Fati i ndeshjes është vendosur në çastet e fundit, ku Golden Eagle Ylli ka treguar më shumë vëmendje dhe qetësi, duke siguruar fitoren me rezultat 74:67.
Te skuadra vendase janë dalluar Shamarkus Kennedy me 14 pikë dhe 11 kërcime, Dion Haxhosaj me 12 pikë dhe dhjetë kërcime, si dhe Ardit Pepaj me 15 pikë. Nga ana tjetër, lojtari më i mirë i mysafirëve ka qenë Terrell Brown, i cili ka kontribuuar me 28 pikë dhe shtatë kërcime, duke qenë vendimtar në fitoren e ekipit të tij.