Gjuajtja me armë në Prishtinë, njëri nga të dyshuarit në paraburgim
Policia e Kosovës thotë se ka identifikuar, ndaluar e proceduar personat e përfshirë në rastin e gjuajtjes me armë që kishte ndodhur me 31 janar në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë. Ndaj tyre është iniciuar hetim në drejtim të veprave penale vrasje në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm e mbajtja e paautorizuar e armëve.
Policia thotë se hetimet fillestare kanë nxjerrë në pah se, pas një konflikti ndërmjet dy grupeve personash, situata ka eskaluar me përdorim armësh zjarri pranë një lokali afarist, duke krijuar rrezik të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe pronën publike.
“Pas këtij incidenti, konflikti ka vazhduar në një lokacion tjetër të qytetit, ku një veturë është përdorur si mjet rrezikimi ndaj personave, duke u shkaktuar lëndime trupore disa qytetarëve, ndërsa dyshohet edhe për të shtëna me armë zjarri nga vetura në lëvizje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Tutje policia thotë se në vendngjarje kishin sekuestruar gëzhoja dhe fragmente predhash, municion, mjete të forta, si dhe vetura e dyshuar e përfshirë në rast.
Policia thotë se janë identifikuar dhe intervistuar të gjithë personat relevantë të përfshirë në rast, janë siguruar video-incizime nga kamerat e sigurisë dhe prova të tjera materiale.
“Janë realizuar tri bastisje në lokacione të ndryshme. Janë konfiskuar dy armë zjarri dhe prova shtesë me rëndësi për procedurën penale. Janë identifikuar gjithsej pesë persona të dyshuar; njëri prej tyre, me iniciale A.T., është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim prej 30 ditësh, ndërsa katër persona të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar fuqishëm në garantimin e rendit, ligjit dhe sigurisë publike, duke mos toleruar asnjë formë dhune apo rrezikimi të jetës së qytetarëve. /Kosova.info/
