Gjobitet shoferi për ngasje të vrullshme në Kaçanik

Policia e Kosovës ka njoftuar se është gjobitur një shofer në fshatin Doganaj të Kaçanikut, i cili thuhet se ka bërë ngasje të vrullshme.

“Me datën 18.02.2024 në rrjetet sociale ka qarkulluar një video-incizim, ku në hyrje-dalje të autostradës ‘Arbën Xhaferi’ në fshatin Doganaj të Kaçanikut, një shofer ka drejtuar veturën e tij BMW me targa vendore në mënyrë të rrezikshme, duke rritur vrullshëm shpejtësinë, përkatësisht duke e nisur nga vendi në atë mënyrë që të shkaktojë rrëshqitje dhe rrotullim të rrotave në vend”.

Sipas policisë, shoferi 21-vjeçar është dënuar me 150 euro gjobë dhe me 1 pikë negative, dhe i njëjti e ka pranuar kundërvajtjen.

“Policët e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj kanë arritur që të identifikojnë shoferin A.B (M/K) i moshës 21 vjeçar, të cilin me datën 21.02.2024 e kanë ftuar në stacionin e policisë dhe ndaj tij kanë shqiptuar një gjobë kundërvajtëse me dënim prej 150 euro dhe 1 pikë negative. Shoferi A.B në tërësi e ka pranuar kundërvajtjen e shkaktuar në komunikacion”, ka thënë PK-ja.

Me këtë rast, policia ka apeluar te shoferët e automjeteve që të respektojnë rregullat dhe shenjat e komunikacionit, pasi “veprimet e tilla rrezikojnë direkt jetën e tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë me policinë”.

Go to TOP