Gjini i reagon Kurtit për ‘2 milionë eurot’: Po tentohet të instalohet regjim kriminal totalitar

Kryetari i Aleancës dhe kandidati për kryeministër, Ardian Gjini, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë në detyrë për ndarjen e 2 milionë eurove për subvencionimin e linjave ajrore, përmes të cilave udhëtojnë mërgimtarët, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 7 qershorit.

Përmes një reagimi në Facebook, Gjini e ka cilësuar këtë veprim si përpjekje për instalimin e një “regjimi kriminal totalitar”, duke akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin për abuzim me institucionet dhe përdorim të vendimeve shtetërore për interesa politike e zgjedhore.

“Në Kosovë po tentohet të instalohet regjim kriminal totalitar. Derisa ne jemi në terren çdo ditë duke bërë publike platformën tonë, një njeri po e shkatërron demokracinë dhe po e shkatërron shtetin që e kemi ëndërruar”, ka shkruar Gjini.

Ai ka thënë se Kurti, sipas tij, po ndërton një regjim për të ruajtur pushtetin, duke e akuzuar për vendime të papërgjegjshme dhe të dëmshme për vendin.

“Këto veprime janë të papërgjegjshme. E thënë butë, këto janë vendime kriminale. Ky njeri ose ka me u ndal me votë, ose e çon Kosovën drejt përçarjes shkatërruese”, ka deklaruar ai.

Go to TOP