Gjermania dominuese, Schmeichel shpëtimtar i Danimarkës
Gjermania ka qenë dominuese ndaj Danimarkës në ndeshjen e 1/8 së finales së “Euro 2024”, por nuk ka arritur të shënojë përballë danezëve në pjesën e parë.
Pjesa e parë e këtij dueli që po zhvillohet në Dortmund u mbyll 0:0.
Gjermania shënoi në minutën e katërt me qendërmbrojtësin Nico Schlotterbeck, por goli u anulua pas rishikimit të situatës në VAR, ku u pa ndërhyrje e palejuar.
Gjermania krijoi edhe disa mundësi shënimi, por portieri dhe kapiteni i danezëve, Kasper Schmeichel, pati disa pritje të mira.
Edhe Danimarka rrezikoi në disa raste.
Mundësinë më të mirë e pati me Rasmus Hojlundin në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, por intervenoi portieri Manuel Neuer.
Ky ballafaqim u ndërpre në minutën e 35-të.
Të dyja ekipet u futën në tunel për shkak të kushteve të rënduara atmosferike.
Pati stuhi të fortë, intensitet të lartë të shiut, vetëtima e breshër.
Megjithatë, ndeshja rifilloi pas disa minutash.
Gjermania nikoqire dhe Danimarka nuk kanë pësuar humbje në fazën grupore.
Fituesi i këtij ballafaqimi në çerekfinale do të luajë me fituesin e ndeshjes Spanja – Gjeorgjia.