Gjeneral Jashari dhe Gjenerali Cave riafirmojnë partneritetin Kosovë-Mbretëri e Bashkuar në fushën e sigurisë
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin Ushtarak të Mbretërisë së Bashkuar në NATO, Gjenerallejtënant Ian Cave.
Në fillim të takimit, Gjeneral Jashari i uroi mirëseardhje Gjeneralit Cave dhe e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ofron FSK-së, si në aspektin bilateral përmes trajnimeve, ashtu edhe nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta.
Gjatë bisedës, dy gjeneralët diskutuan mbi të arriturat e deritanishme të FSK-së, planin e tranzicionit dhe përpjekjet e vazhdueshme për ngritjen e kapaciteteve të plota operacionale. Komandanti Jashari theksoi se prioritet i tij mbetet zhvillimi profesional dhe operacional i Forcës, me synim që FSK të bëhet kontribuuese e rëndësishme e sigurisë në rajon dhe më gjerë.
Nga ana tjetër, Gjenerallejtënant Cave e falënderoi për pritjen dhe e përgëzoi Gjeneral Jasharin për progresin e FSK-së në ndërtimin e kapaciteteve të saj. Ai vlerësoi angazhimin e Kosovës për të avancuar drejt standardeve të NATO-s dhe për të forcuar rolin e saj në arkitekturën e sigurisë rajonale.
Në takim u shkëmbyen edhe qëndrime rreth situatës së përgjithshme të sigurisë në Kosovë dhe rajon duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.
Ky takim nënvizoi përkushtimin e përbashkët për avancimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës duke e pozicionuar atë si një komponent thelbësor të sistemit të sigurisë euro-atlantike dhe duke forcuar besimin në rrugëtimin e saj drejt integrimit të plotë në strukturat e NATO-s. /Kosova.info/
