Gimolli: nuk ka padi që më ndal, nuk ka shantazh që më intimidon

Aktivisti i LDK-së, Bujar Gimolli, ka njoftuar se kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka ngritur padi për shpifje ndaj tij. Kjo, sipas Gimollit, lidhet me një postim të tij në Facebook, ku kritikonte tenderin për furnizimin e shkollave me lëndë djegëse.

Në reagimin e tij publik, Gimolli e ka cilësuar këtë akt si përpjekje për ta ndalur zërin kritik ndaj qeverisjes së Bulliqit, të cilën ai e ka quajtur “skandaloze dhe kriminale”. Ai shtoi se për këtë çështje, kryetari i komunës ka angazhuar ish-drejtoreshën e Administratës Komunale nga koalicioni i mëparshëm PDK-LVV si avokate, duke e konsideruar këtë një përpjekje të koordinuar për të heshtur opozitën.

“Do të vazhdoj me gjithë fuqinë time denoncimin e padrejtësive, të parregullsive dhe korrupsionit që ndodh në Komunën e Podujevës dhe institucionet tjera. Nuk ka padi që më ndal, nuk ka shantazh që më intimidon,” tha ai.

Gimolli theksoi se ndjen një obligim qytetar për të luftuar padrejtësitë dhe premtoi se do të vazhdojë angazhimin deri sa, sipas tij, “grupi kriminal që drejton komunën të përballet me drejtësinë”.

Përplasjet mes kritikëve dhe qeverisjes komunale në Podujevë janë intensifikuar muajt e fundit, me akuzat për keqmenaxhim që po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. /Kosova.info/


Go to TOP