Gërxhaliu: Opozita sterile LDK-PDK, do të mundësojë fitoren e VV-së me mbi 50% në zgjedhjet e ardhshme

Profesori i ekonomisë, Safet Gërxhaliu ka folur për zhvillimet e tanishme politike në Kosovë, duke theksuar se opozita e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) po paraqitet si e “lodhur” dhe pa kauzë, duke e lehtësuar kështu rrugën për fitoren e madhe të Vetëvendosjes (VV) me mbi 50% në zgjedhjet e ardhshme.

Gërxhaliu ka theksuar se kjo opozitë ka humbur lidhjen me qytetarët, besimin dhe guximin dhe se ajo është e pajtuar me përspektiven e një qeverie të drejtuar nga VV-ja edhe në një apo edhe dy mandatet e ardhshme, raporton “Epoka e re”.

“Qeveria aktuale ka shumë gabime në shumë fusha, duke përfshirë ekonominë, arsimin, shëndetësinë, dhe shumë fusha të tjera. Megjithatë, opozita ka humbur besimin dhe nuk ka ofruar një alternativë të qëndrueshme. Ata duhet të kuptojnë se duhet të jenë të gatshëm të ndryshojnë dhe të ofrojnë një vizion të qartë dhe të besueshëm për popullin”, ka deklaruar profesori Gërxhaliu.

Ai ka theksuar se asnjëherë historikisht, opozita në Kosovë nuk ka qenë kaq e dobët, e pa kauzë dhe e pa orientuar.

“Udhëheqësit e opozitës kanë humbur përgjegjësinë duke larguar nga skena persona me përvojë në shumë fusha dhe duke propozuar kandidatë joprofesionistë dhe pa guxim për të marrë përgjegjësi. Siç duket, ata nuk janë të gatshëm të jenë alternativa e besueshme për qytetarët. Kjo është një mundësi e mirë për VV-në të shfrytezojë situatën dhe të arrijnë një fitore të madhe në zgjedhjet e ardhshme, deri në 50%”, është shprehur ai.

Gërxhaliu ka pohuar se opozita duhet të riformohet dhe të prezantojë një alternativë të besueshme për qytetarët, ndryshe, sipas tij, fitores së VV-së i paraprin një periudhë e gjatë në pushtet.

Go to TOP