Gërvalla takon Ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, në fokus siguria në rajon dhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes

Bashkëpunimi mes dy shteteve në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, harmonizimi i politikave të mbrojtjes dhe sigurisë dhe integrimi i Kosovës në NATO, ishin temat kyçe të takimit të punës që sot Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, pati me Ministrin Federal të Mbrojtjes të Gjermanisë, Boris Pistorious, në prag të vizitës së tij në Republikën e Kosovës.

Në kuadër të këtij takimi, bëhet e ditur se Gërvalla e njoftoi Pistoriusin rreth situatës së sigurisë në Kosovë dhe rajon, veprimeve të vazhdueshme kërcënuese të Serbisë dhe nevojën e ndërmarrjes së hapave të shpejtë dhe të vendosur për ruajtjen e paqes së brishtë në rajon.

“Ministrja Gërvalla falënderoi Ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, në veçanti për mbështetjen e madhe që Gjermania i ka dhënë FSK-së në ngritjen e kapaciteteve si dhe kontributin e Gjermanisë të dhënë prej vitesh në kuadër të KFOR-it. Në këtë drejtim ajo kërkoi një rritje dhe përforcim të rolit të Gjermanisë në rajon”, thuhet në njoftimin për media të MPJD-së.

Go to TOP