Gërvalla nuk përmendi UÇK-në në Ditën e Çlirimit, reagon Musliu-Shoshi: E dhimbshme të mos falënderohet gjaku i dëshmorëve

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dje ka uruar Ditën e Çlirimit të Kosovës.

Në një postim të bërë në llogarinë e saj në Facebook, Gërvalla përmendi ushtarët e NATO-s e KFOR-it për kontributin e dhënë për çlirimin e Kosovës, po ajo nuk përmendi pjesëtarët e UÇK-së.

“Në ditën e çlirimit të Kosovës kujtojmë edhe të gjithë ushtarët e NATO-s dhe KFOR-it, të cilët kontribuan fillimisht në çlirimin e Kosovës dhe më pas në paqen dhe stabilitetin e saj. Nderimi dhe mirënjohja jonë për ata ushtarë, të cilët gjatë këtij misioni fisnik humbën jetën, do të jetë i përjetshëm”, ka shkruar Gërvalla.

E një gjë e tillë ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku ministrja Gërvalla po shihet si një politikane e cila është “anti-UÇK”.

Ndaj Gërvalles, së fundmi ka reaguar edhe deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

Musliu-Shoshi ka thënë se është e dhimbshme sesi një ministre e jashtme uron popullin shqiptar për Ditën e Çlirimit, e nuk falënderon gjakun e dëshmorëve të UÇK-së.

“Nën petkun e zëvendëskryeministres dhe ministres së jashtme të Kosovës është e dhimbshme dhe e çuditshme të urosh popullin shqiptar për ditën e çlirimit pa falënderuar gjakun e dëshmorëve të UÇK-së e pa e çmuar jetën e sakrificën e atyre pjesëtareve që janë gjallë e liderëve të UÇK-së në luftë e paqe që sot padrejtësisht janë në Hagë”, ka shkruar Musliu-Shoshi.

Deputetja ka shtuar se sesi mund të presim mbrojtjen e drejtë të luftës së UÇK-së nga një qëndrim i tillë qeverisës.

“Është fatkeqësi që me qëndrim të tillë të qeverisë presim mbrojtjen e drejtë të luftës së UÇK-së, dënimin e Serbisë për gjenocidin në Kosovë, e trajtimin me dinjitet të veteranëve”, ka shkruar Musliu-Shoshi. 

Go to TOP