Gërvalla në Bruksel: Reformat në drejtësi, kyçe për shtetin funksional dhe integrimin evropian

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, gjatë një vizite zyrtare në Bruksel, ka zhvilluar një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Komisionit Evropian për Negociatat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Gert Jan Koopman, ku në fokus kanë qenë reformat në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Gjatë takimit, Gërvalla theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave kyçe, përfshirë funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, procesin e vetingut dhe paketën prej pesë projektligjesh aktualisht në konsultim publik. Sipas saj, këto masa synojnë forcimin e integritetit institucional dhe transformimin afatgjatë të sistemit të drejtësisë.

Ajo nënvizoi se qëllimi kryesor i këtyre reformave është rritja e qasjes së qytetarëve në drejtësi, si dhe forcimi i profesionalizmit dhe llogaridhënies në institucionet gjyqësore duke ndërtuar një sistem më funksional dhe më të besueshëm.

Ministrja po ashtu kërkoi mbështetje të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian për avancimin e sundimit të ligjit duke theksuar se progresi në këtë fushë mbetet element kyç për procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Gërvalla ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar në rrugën e saj evropiane, përmes forcimit të sundimit të ligjit dhe ndërtimit të një sistemi të drejtësisë që i shërben qytetarëve. /Kosova.info/


Go to TOP