Gërvalla dhe kongresisti Meeks flasin për bashkëpunim më intensiv mes Kosovës dhe ShBA-së

Në vazhdën e takimeve me kongresistë, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është pritur në takim nga kongresisti demokrat, Gregory Meeks, i cili njihet si mbështetës i madh i Kosovës.

Gjatë takimit u bisedua rreth intensifikimit të vizitave të kongresistëve amerikanë në Republikën e Kosovës dhe fuqizimin e bashkëpunimit në çështje të veçanta, si në politikën e jashtme të Kosovës ashtu edhe në programe të zhvillimit të demokracisë, ekonomisë dhe arsimit.

Gjatë këtij takimi u rinkonfirmuan marrëdhëniet e fuqishme mes dy shteteve dhe dy popujve, duke potencuar se qytetarët e Kosovës, edhe nga matjet ndërkombëtare, dalin të jenë qytetarët më pro-amerikanë në botë.

Ministrja Gërvalla dhe kongresisti demokrat Meeks biseduan edhe rreth situatës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe veprimet destabilizuese të Serbisë dhe Rusisë në këtë rajon.

Kryediplomatja e Kosovës e informoi në detaje kongresistin Meeks rreth veprimeve që ka ndërmarrë shteti i Kosovës në shtrirjen e sovranitetit në gjithë territorin e vendit, duke realizuar kështu një prej premtimeve më të rëndësishme për shtrirjen e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. /Kosova.info/

Go to TOP