Gazetari Idro Seferi: Rama lavdëroi Vuçiqin për marrëveshjen me Kosovën

Gazetari shqiptar në Beograd, Idro Seferi, ka treguar për krejt takimin që kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq patën në kryeqytetin e Serbisë në kuadër të “Ballkanit të Hapur”.

Ai tha se në këtë takim u bë një promovim i madh i ushqimeve, verërave dhe prodhimeve që vijnë nga shtetet pjesëmarrëse të iniciativës “Ballkani i Hapur”, teksa shtoi se ishte kryeministri shqiptar ai që e lavdëroi presidentin serb për marrëveshjen me Kosovën.

“Rama tha se kjo iniciativë nuk do të thotë që i zgjidh të gjitha problemet, por është një fillim madje lavdëroi disa herë edhe presidentin Vuçiq për një lëvizje të duhur sa i përket marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë”, ka deklaruar Seferi

“U tentua të thuhet se ky projekt është i vetmi i cili mund ta afroj Ballkanin mes vete ku pati serish ftesa për shtetet që s’janë pjesë. Ishte edhe vizita e Abazavoiq i cili në mandat teknik, por nuk dihet nëse Mali i Zi do të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur”, ka shtuar gazetari.

Tutje, ai tha se miqësisë mes Shqipërisë dhe Serbisë në shtypin serb iu bë një promovim i madh.

“Edhe fjalimeve të Ramës i është dhënë një hapësirë e madhe në mediat serbe, deri te citimi i tij në shumicën e mediave. Është një tentim i promovimit të Vuçiq si një lider i serbëve i cili do të ngelet si historik në krijimin e një Serbie të re e cila do të jetë e fuqishme në rajon dhe zakonisht edhe kur bën politikën e tij, Vuçiq paraqitet si i sulmuar për shkak se po krijon e po ndërton shumë në Serbi”, ka theksuar tutje Seferi.

Go to TOP